Humb jetën një punonjës i OSHEE-së në Himarë gjatë riparimit të defekteve nga stuhia


Një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit në Himarë, teksa ishte duke punuar për riparimin e defekteve të shkaktuara nga moti i keq.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00, kur ekipet teknike ishin në terren për të rikthyer furnizimin me energji elektrike në zonat e prekura nga stuhia dhe erërat e forta.

Viktima është një 55-vjeçar me origjinë nga Elbasani, i dërguar në Himarë për të mbështetur ekipet lokale në riparimin e rrjetit elektrik. Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike gjatë punës, ndërsa shkaku i saktë i aksidentit do të përcaktohet pas ekspertizës teknike dhe hetimeve.

Në vendngjarje kanë mbërritur grupet hetimore, të cilat po verifikojnë rrethanat e ngjarjes dhe kushtet në të cilat po kryhej ndërhyrja.

Moti i keq që goditi Himarën dhe zona të tjera bregdetare gjatë ditës së djeshme shkaktoi dëme materiale dhe probleme në rrjetin elektrik, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e ekipeve të OSHEE-së për rikthimin e energjisë.