Hekurudha Shqiptare ka shpallur fituesin e tenderit për hartimin e projektit të detajuar inxhinierik dhe arkitektonik, si edhe për ndërtimin e godinës së Stacionit Hekurudhor të Aeroportit të Rinasit, një investim që është pjesë e projektit të linjës hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas.
Sipas njoftimit paraprak, kontrata i është dhënë kompanisë Hastoçi sh.p.k., e cila paraqiti ofertën me vlerë 81 milionë lekë pa TVSH, kundrejt një fondi limit prej rreth 91.6 milionë lekësh.
Në garën për këtë procedurë prokurimi morën pjesë gjashtë operatorë ekonomikë, ndërsa katër prej tyre u skualifikuan për mosplotësim të kritereve të kualifikimit.
Sipas dokumenteve të tenderit, ndërtimi i Stacionit Hekurudhor të Rinasit konsiderohet një element kyç për përmirësimin e shërbimeve ndaj pasagjerëve dhe krijimin e një infrastrukture moderne, në funksion të lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Projekti parashikon rritjen e aksesit në transportin publik, ndërtimin dhe sistemimin e zonave të parkimit, përmirësimin e hyrjeve në platformat e pasagjerëve, shtigjeve për këmbësorë dhe trotuareve, si edhe krijimin e hapësirave të dedikuara për taksitë, autobusët dhe zonat e ndalimit për marrjen dhe zbritjen e pasagjerëve.
Aktualisht, për realizimin e linjës hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas janë në zbatim dy kontrata kryesore: një për punimet civile dhe sistemet e sinjalizim-telekomunikacionit, si dhe një tjetër për ndërtimin e tetë godinave të stacioneve. Ndërkohë, është shpallur edhe kompania fituese për elektrifikimin e linjës.
Objektivi i autoriteteve është që linja hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas të vihet në funksion në fund të vitit 2027.










