Halla e Erionit emocionon protestën: “Nipin ma vr*u th*ka, por edhe shteti kur iu fikën dritat në spital”

Një dëshmi prekëse ka tronditur pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku halla e Erionit, të riut që humbi jetën pasi u godit me thikë nga një bashkëmoshatar, ka folur mes lotësh për dhimbjen e familjes së saj.

Në fjalën e saj, ajo ngriti akuza të forta ndaj sistemit shëndetësor dhe institucioneve shtetërore, duke pretenduar se gjatë operacionit të nipit të saj në spital janë fikur dritat.

“Unë jam halla e Erionit. Ai u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, por e vrau edhe shteti, sepse gjatë operacionit u fikën dritat në spital. Plagët e këtij vendi janë lotët e nënave shqiptare që nuk i kanë fëmijët”, u shpreh ajo.

Më tej, ajo tha se dhimbja e familjes së saj nuk mund të shuhet pa ndryshime në vend, ndërsa përgëzoi të rinjtë pjesëmarrës në protestë.

“Unë jam mësuese dhe poete. Pena ime loton për Erionin prej muajsh. Dhimbja jonë do të shërohet kur të shërohet Shqipëria. Bravo rinia shqiptare, e gëzofshi Shqipërinë e bukur”, deklaroi ajo.

Fjalimi i saj u prit me duartrokitje nga protestuesit e pranishëm në shesh.