Gushti shënon rekord, importet e karburanteve arrijnë nivelin më të lartë të vitit

Importi i karburanteve në Shqipëri ka arritur pikën më të lartë për vitin 2026 gjatë muajit gusht, i ndikuar nga fluksi i turistëve, kthimi i emigrantëve dhe rritja e lëvizjes së automjeteve gjatë sezonit veror.

Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se pas një periudhe relativisht të qetë në pesë muajt e parë të vitit, kur importet luhateshin mesatarisht rreth 50 mijë ton në muaj, nga qershori e në vijim është shënuar një rritje e vazhdueshme, e cila kulmoi në gusht.

Gjatë muajit të kaluar u zhdoganuan 78.4 mijë ton karburante, kundrejt 73.7 mijë tonëve të importuara në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 4.7 mijë tonësh.

Megjithatë, bilanci i tetëmujorit mbetet ende më i ulët krahasuar me një vit më parë. Nga janari deri në gusht 2026 janë importuar gjithsej 486.4 mijë ton karburante, rreth 3.5 mijë ton më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rënia lidhet kryesisht me uljen e importeve në muajt e parë të vitit, kur tregu u përball me rritje të ndjeshme të çmimeve.

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës u ndikua nga tensionet dhe konflikti në Lindjen e Mesme. Nga muaji mars e në vijim, çmimet në tregun vendas arritën deri në rreth 224 lekë për litër, duke sjellë rikthimin në funksion të Bordit të Transparencës për vendosjen e çmimeve tavan të tregtimit me shumicë dhe pakicë.

Megjithëse çmimet u stabilizuan gjatë qershorit dhe korrikut, në gusht dhe shtator u regjistrua një valë e re shtrenjtimi, duke bërë që Bordi i Transparencës të riaktivizohej sërish.

Rritje kanë shënuar edhe disa nga mallrat e tjera të akcizës. Importi i cigareve gjatë gushtit mbeti pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë, me 345 ton të zhdoganuara.

Ndërkohë, importi i kafesë arriti në 643 ton, ose 62 ton më shumë krahasuar me gushtin e vitit 2025. Edhe birra ka regjistruar rritje të ndjeshme, me 8.3 mijë ton të importuara, kundrejt 7.2 mijë tonëve në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave doganore, edhe në bilancin e tetë muajve të parë të vitit, importet e cigareve, kafesë dhe birrës paraqiten në rritje të lehtë krahasuar me vitin 2025, duke reflektuar rritjen e konsumit në tregun vendas.