Grevë në doganën greke, bllokohet për 4 orë qarkullimi në Kakavijë të hënën


Dega Doganore Kakavijë ka njoftuar se lëvizja në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë do të ndërpritet përkohësisht ditën e hënë, 27 korrik 2026, për shkak të një greve të punonjësve të autoriteteve greke.

Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 07:00 deri në 11:00 (ora shqiptare) do të pezullohet procesimi doganor dhe kalimi i automjeteve, si në hyrje ashtu edhe në dalje të territorit grek. Gjatë këtij intervali, lëvizja e të gjitha automjeteve do të jetë e bllokuar për shkak të ndërprerjes së shërbimeve nga pala greke.

Dogana Shqiptare u bën apel qytetarëve dhe bizneseve që planifikojnë të udhëtojnë drejt Greqisë të shmangin përdorimin e Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë gjatë këtij orari dhe të planifikojnë udhëtimin jashtë intervalit 07:00–11:00, për të evituar pritjet dhe vonesat në kufi.