Greqi/Shqiptarët e arm*tosur lirojnë 41-vjeçarin gjatë transportit drejt spitalit

Një arratisje spektakolare e një të burgosuri shqiptar është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Greqi, gjatë transportimit të tij nga burgu i Nigritës drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serres.

Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30, kur automjeti i transportit ndodhej në ambientet e jashtme të spitalit, pranë repartit psikiatrik. Brenda mjetit ndodheshin 41-vjeçari shqiptar dhe dy punonjës që e shoqëronin.

Në ato momente, pranë automjetit janë afruar dy makina që i ngjanin mjeteve të policisë. Personat e armatosur që ndodheshin në to kanë neutralizuar nën kërcënimin e armëve dy shoqëruesit dhe më pas kanë ndihmuar të burgosurin të largohej.

Sipas informacioneve paraprake, autorët kanë marrë me vete edhe armën e shërbimit të një prej punonjësve të burgut. Pas operacionit, ata janë larguar me shpejtësi dhe kanë humbur gjurmët.

I arratisuri, një shtetas shqiptar 41-vjeçar, ishte arrestuar vitin e kaluar nga strukturat greke të Krimit të Organizuar për një çështje që lidhej me tentativë vrasjeje në Selanik. Ai dyshohet gjithashtu për përfshirje në veprimtari të lidhura me armët dhe trafikun e narkotikëve.

Pas arratisjes, autoritetet greke kanë ngritur alarmin dhe kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e 41-vjeçarit dhe identifikimin e personave të armatosur që organizuan dhe realizuan arratisjen.
:::writing