Gjykata e Fierit ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për tre personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Stolen Land”, konkretisht ish-drejtorët e ASHK-së, E.S. dhe B.K., si dhe specialistin P.Ç.
Ndërkohë, për shtetasin K.H., i cili po hetohet si përfitues i pronave objekt hetimi, gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”.
Sipas vendimit, K.H. do ta vuajë masën në banesën e tij dhe është urdhëruar të mos largohet nga adresa e banimit, si dhe të mos ketë kontakte me persona të tjerë, përveç anëtarëve të familjes. Gjykata ka urdhëruar gjithashtu lirimin e menjëhershëm të tij nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet për efekt të ndonjë mase tjetër sigurie ose vendimi dënimi.
Policia Gjyqësore është ngarkuar me ekzekutimin e vendimit, ndërsa Prokuroria dhe Policia do të mbikëqyrin respektimin e masës së “Arrestit në shtëpi”.
Katër personat janë nën hetim në dosjen që lidhet me tjetërsimin e dyshuar të pronave shtetërore, ku sipas Prokurorisë së Fierit janë sekuestruar 1,143 hektarë tokë, një sipërfaqe që përllogaritet sa rreth 1,600 fusha futbolli. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 ditëve nga njoftimi i tij.










