GJKKO kthen për plotësim hetimesh dosjen ndaj Jonaid Myzyrit

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kthyer për plotësim hetimesh dosjen ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, për të cilin SPAK kishte kërkuar pushimin e çështjes.

Togat e zeza i kanë lënë Prokurorisë së Posaçme 45 ditë afat për kryerjen e veprimeve shtesë hetimore, mes tyre edhe realizimin e një akt-ekspertimi.

Myzyri ishte marrë i pandehur për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, por pas rreth një viti hetimesh, prokurori i çështjes argumentoi se nga verifikimet e kryera nuk rezultonte që ai të kishte konsumuar elementë të veprës penale.

Së bashku me të, të pandehur ishin marrë edhe anëtarët e Komisionit të Prokurimeve Publike, Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.

SPAK ngriti akuzat ndaj Myzyrit në qershor të vitit 2025, lidhur me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.2 milionë euro, të zhvilluar në vitin 2020 për mirëmbajtjen e disa segmenteve rrugore në zonën e Mirditës, me gjatësi totale rreth 59 kilometra.