Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë gjashtë zyrtarë të Bashkisë Divjakë për shkelje të barazisë në procedurat e tenderave, në një çështje që lidhet me një kontratë me vlerë 1 milion euro.
Të dënuarit janë Dorjan Spaho, Sara Xhepa (Doko), Roklejd Malko, Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini.
Sipas vendimit të GJKKO-së, zyrtarët u gjetën fajtorë për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, ndërsa dënimet për secilin prej tyre u shpallën nga trupa gjykuese. Çështja lidhet me procedurat e zhvilluara për një tender publik me vlerë rreth 1 milion euro.
Sipas vendimit të gjykatës, Dorjan Spaho, Sara Xhepa (Doko) dhe Roklejd Malko janë dënuar me nga 120 orë punë në interes publik.
Ndërkohë, Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini janë dënuar me 16 muaj liri me kusht. Përveç këtij dënimi, gjykata u ka hequr atyre edhe të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.










