Fuoristrada e vjedhur gjendet e djegur në tunelin ushtarak të Cërkovinës, policia nis hetimet

Një automjet tip fuoristradë, i raportuar si i vjedhur, është gjetur i djegur në një tunel të vjetër ushtarak në zonën e Cërkovinës.

Ngjarja është zbuluar mbrëmjen e së dielës, rreth orës 23:00, në një rrugë të paasfaltuar që lidh Cërkovinën me fshatrat përreth. Pas njoftimit, forcat zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Sipas burimeve paraprake, policia po heton edhe mundësinë që automjeti të jetë përdorur për veprimtari të paligjshme, duke pasur parasysh vendndodhjen e tij në një zonë të izoluar dhe brenda tunelit ushtarak.

Për identifikimin e autorëve, uniformat blu kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim gjurmimin e personave që kanë lënë automjetin në tunel.

Si pasojë e djegies së mjetit, flakët janë përhapur edhe në një sipërfaqe me bimësi pranë tunelit, por pa shkaktuar dëme të tjera të raportuara.