Fluks i lartë në Kapshticë, mbi 21 mijë qytetarë kaluan kufirin në 5 ditë

Pika kufitare e Kapshticës po përballet me rritje të ndjeshme të lëvizjeve, teksa sezoni veror ka shtuar hyrje-daljet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, gjatë pesë ditëve të fundit kanë kaluar mbi 21 mijë qytetarë dhe më shumë se 8400 automjete nëpërmjet kësaj pike kufitare.

Për të menaxhuar fluksin, autoritetet doganore kanë marrë masa organizative për përshpejtimin e procedurave dhe shmangien e vonesave në përpunimin e udhëtarëve dhe mjeteve.

Doganat paralajmërojnë se fluksi pritet të mbetet i lartë edhe në ditët në vijim, për shkak të sezonit turistik dhe shtimit të lëvizjeve ndërkufitare.