Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Shkozetit në Durrës, duke krijuar një re të dendur tymi të zi që ka mbuluar të gjithë zonën dhe ka vështirësuar dukshmërinë.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë një magazinë ku ruheshin fishekzjarre dhe materiale për oxhaqe, ndërsa situata paraqitet e rënduar.
Për shkak të rrezikut, autoritetet kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në Unazën e Shkozetit, në mbikalimin e Shkozetit, në segmentin rrugor “Martin Camaj” në drejtim të Plepave, si dhe në aksin Kavajë–Durrës.
Në vendngjarje janë angazhuar gjashtë mjete zjarrfikëse nga Durrësi, Porti i Durrësit dhe Shijaku, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Megjithatë, sipas të dhënave të deritanishme, zjarri vijon të jetë jashtë kontrollit.
Edhe Policia e Shtetit ka reaguar, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative deri në normalizimin e situatës.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me zjarrfikësit dhe strukturat e tjera përgjegjëse, ndodhen në terren, ku po punojnë për menaxhimin e situatës, garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe rikthimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur.










