Fieri pa ujë, qytetarët përballen me mungesa në mes të temperaturave të larta

Mungesa e ujit të pijshëm është raportuar në disa zona të Fierit, në një periudhë kur temperaturat e larta e bëjnë furnizimin me ujë një nevojë të domosdoshme për qytetarët.

Pavarësisht pretendimeve se Fieri furnizohet me ujë 24 orë në 24, qytetarët po përballen me ndërprerje të furnizimit, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një njoftim zyrtar nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Fier për arsyet e mungesës së ujit apo kohën e rikthimit të furnizimit.

Situata është veçanërisht shqetësuese gjatë këtyre ditëve të nxehta, kur uji është i domosdoshëm për familjet, të moshuarit dhe fëmijët.

Qytetarët kërkojnë transparencë nga ujësjellësi dhe një sqarim se përse furnizimi është ndërprerë, ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një defekt teknik, problem në rrjet apo kufizim të furnizimit.