Fier dhe Erseke-ERE nis licencimin në prodhim të dy impianteve fotovoltaikë

Fier dhe Erseke-ERE nis licencimin në prodhim të dy impianteve fotovoltaikë

202
SHPËRNDAJE

Dy impiante të reja fotovoltaike pritet të licencohen në prodhim nga Enti Rregullator i Energjisë duke çuar në total numrin në 33.

Në mbledhjen të mërkurës së kësaj jave ERE nisi procedurën për licencimin e shoqërisë “Erseka Solar Park 2” shpk në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik me kapacitet të instaluar 20 MW (AC), me vendndodhje në Zonën Kadastrale Nr. 3310, fshati Starje, Njësia Administrative Qendër Ersekë, Bashkia Kolonjë, Qarku Korçë.

Më herët gjatë këtij viti u licencua projekti tjetër Erseka Solar Park 1 me një kapacitet të instaluar prej po 20 MW. Ndërkohë në të njëjtën mbledhje Bordi nisi procedurën për licencimin e shoqërisë “ALB SUN ENERGY” shpk në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik me kapacitet të instaluar 2 MW, me vendndodhje në fshatin Povelçë, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier.

Nëse këto dy projekte do të kalojnë të gjitha hallkat e nevojshme të dokumentacionit dhe kërkesave që parashikon kuadri ligjor atëherë licencimi në prodhim do të çojnë numrin e subjekteve të regjistruar në këtë grup në 33.

Vetëm në vitin 2023 janë licencuar të paktën katër projekte që kanë një kapacitet të instaluar total prej 26 MW.

Ndërkohë referuar regjistrit të Entit Rregullator projekti me kapacitet më të madh të instaluar dhe që ka marrë licencë prodhimi është Karavasta Solar në zonën e Remasit në Lushnjë dhe që është një nga dy projektet që u nxorën në ankand nga qeveria shqiptare dhe u fituan nga Voltalia. Projekti për Karavastanë ka avancuar dhe po vijon me zbatimin ndërkohë Spitalla është duke ecur më hapa të ngadaltë.

Parku fotovoltaik i Karavastasë është projektuar me fuqi 140 MW, ku 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë që në këtë rast është 24.89 euro/MWh.

Një pjesë tjetër e impianteve të licencuar shesin energjinë tek OSHEE sipas një çmimi të përllogaritur çdo vit nga ERE dhe në këtë rast bëhet fjalë për një grup që kanë kapacitet të instaluar deri në 2 MW ndërkohë që nuk mungojnë as projekte private që shesin energjinë në tregun e lirë dhe që paguajnë një tarifë koncesionare. 

S'KA KOMENTE