Eurodeputetja franceze Emma Fourreau ka njoftuar përmes një postimi në Instagram se do të udhëtojë drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në mesazhin e saj, Fourreau shprehet se vizita synon të mbështesë protestuesit, të cilët prej më shumë se një muaji kundërshtojnë projektin në Zvërnec dhe akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe dëmtim të mjedisit.
“Po nisem për në Shqipëri për të mbështetur revolucionin e flamingove rozë!” shkruan eurodeputetja, ndërsa shton se “prej më shumë se një muaji, populli shqiptar po ngrihet kundër projektit ekocid dhe korrupsionit të qeverisë socialiste të Edi Ramës”.
Në përfundim të reagimit të saj, Fourreau bën thirrje për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe shpreh solidaritet me protestuesit. “Stop grabitjes së tokave dhe pasurive, mbështetje për shqiptarët dhe shqiptaret në luftë!”, shkruan ajo.
Reagimi i eurodeputetes vjen në një kohë kur protestat kundër projektit në Zvërnec vijojnë në disa qytete të vendit dhe kanë tërhequr vëmendjen e mediave dhe aktorëve politikë ndërkombëtarë.










