Euro vijon rritjen pas zgjedhjeve, arrin nivelin më të lartë që prej...

Euro vijon rritjen pas zgjedhjeve, arrin nivelin më të lartë që prej datës 20 prill

467
SHPËRNDAJE

Euro është rritur ndjeshëm në kursin e këmbimit me lekun edhe ditën e martë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 111.89 lekë, në rritje të mëtejshme me 0.58 pikë krahasuar me ditën e hënë. Që prej datës 11 maj, kur arriti minimumin historik prej 110.63 lekësh, euro ka fituar 1.26 lekë në kursin e këmbimit me monedhën vendase.

Ringritja e shpejtë e euros në kursin e këmbimit valutor po ndjek një trajektore të ngjashme me fundin e vitit të kaluar. Sipas agjentëve, një arsye që shpjegon këtë rritje mund të ketë qenë krijimi i pritshmërive se euro do të rritej sërish pas zgjedhjeve.

Kjo vlerësohet se solli një kërkesë të lartë për të blerë euro, sidomos pas ditës së premte dhe e ka rritur euron në nivelin më të lartë për pothuajse një muaj.

Kursi i këmbimit po e korrigjon nënçmimin historik të euros në gjysmën e parë të muajit maj, periudhë që përkoi me javët e fundit të fushatës për zgjedhjet lokale. Megjithatë, tendencat afatgjata të kursit ngelen dukshëm në favor të lekut, që rezulton të jetë mbiçmuar me 7.2% kundrejt euros krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ringritja e euros në kursin e këmbimit zbut pjesërisht shqetësimet e bizneseve eksportuese, që janë goditur ndjeshëm nga forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit valutor. Euro është monedha dominuese në këmbimet tregtare të vendit dhe lëvizjet e saj ndikojnë direkt vlerën e importeve dhe eksporteve të shprehura në monedhën vendase.

Këtë fillim jave, leku paraqitet në rënie me shumicën e valutave të tjera të huaja.

Edhe dollari amerikan është rritur dhe këmbehej të martën me 102.71 lekë. Ashtu si me euron, edhe kursi i dollarit amerikan ka arritur nivelin më të lartë në afërsisht një muaj.

Megjithatë, forcimi i valutave të tjera nuk lidhet me faktorë të brendshëm të tregut valutor shqiptar, por raportet e këtyre valutave në kursin e këmbimit me euron. Në ditët e fundit, euro ka humbur terren në tregjet valutore ndërkombëtare dhe kjo po sjell forcim të valutave kryesore edhe ndaj lekut.

S'KA KOMENTE