Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i transferuar gjatë ditës së djeshme nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, ka dalë këtë të premte në ajrim i vetëm.
Veliaj ndodhet në godinën A, sektori 1, ku qëndrojnë vetëm personat në paraburgim.
Transferimi i tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit ka shkaktuar polemika, ndërsa çështja ka marrë vëmendjen edhe të institucioneve përgjegjëse.
Gjatë ditës së sotme, 30 tetor, Ministria e Drejtësisë u ka kthyer përgjigje zyrtare deputetëve të Partisë Socialiste, Bledi Çuçit dhe Fatmir Xhafajt, lidhur me transferimin e kryebashkiakut.
Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të kryejë inspektimin e 24 transferimeve të të burgosurve, të realizuara gjatë 11 ditëve të fundit.
Kontrolli synon të verifikojë procedurat dhe rrethanat në të cilat janë kryer këto transferime, përfshirë edhe atë të Erion Veliajt.
Pas përfundimit të inspektimit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pritet të raportojë për rezultatet e verifikimeve dhe procedurat e ndjekura në secilin rast.










