Dy aksidente të rënda rrugore janë regjistruar pasditen e kësaj të diele në qarkun e Fierit, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Rreth orës 15:00, në aksin rrugor Çermë–Divjakë, një automjet i drejtuar nga shtetasi H. M., 45 vjeç, është përplasur me një automjet tjetër që drejtohej nga shtetasi B. C., 38 vjeç. Si pasojë e përplasjes, 38-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit drejt spitalit.
Në të njëjtin aksident, drejtuesi i automjetit tjetër, bashkëshortja e tij E. M. dhe dy fëmijët e tyre të mitur, të cilët ndodheshin në mjet, morën ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, rreth orës 16:45, në aksin rrugor Fier i Ri–Ngurrëz, një motomjet i drejtuar nga shtetasi E. T., 47 vjeç, ka dalë nga rruga. Si pasojë, 47-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda dhe është transportuar në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore.
Grupet hetimore ndodhen në të dy vendngjarjet dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidenteve.










