Dron rus godet një pallat në Rumani, plagosen dy persona

Një incident i rëndë është regjistruar në qytetin Galați të Rumanisë, vend anëtar i NATO-s, ku një dron është rrëzuar mbi një ndërtesë banimi, duke shkaktuar zjarr dhe panik te banorët.

Sipas raportimeve paraprake nga mediat ukrainase dhe rrjeti “Faytuks”, dy persona kanë mbetur të plagosur lehtë, ndërsa ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve nga pallati.

Dyshohet se bëhet fjalë për një dron rus, pasi incidenti ndodhi në të njëjtën kohë kur Rusia po zhvillonte sulme masive me dronë ndaj rajonit të Odesës në Ukrainë, pranë kufirit rumun. Galați ndodhet shumë afër kësaj zone kufitare.

“Sipas raporteve fillestare, një dron rus u rrëzua në një ndërtesë apartamentesh në qytetin Galați, Rumani. Incidenti ndodhi menjëherë pasi autoritetet lëshuan paralajmërim për rrezik nga objekte ajrore”, raportoi rrjeti Faytuks.

Shërbimi rumun i emergjencave (ISU) konfirmoi se droni goditi një pallat banimi dhe përplasja shkaktoi një shpërthim, i cili më pas solli zjarr në një apartament në katin e dhjetë.

Autoritetet rumune kanë nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e dronit dhe rrethanat e plota të incidentit.