Dh*na mes të miturave në Fier, Prokuroria nis hetimet

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të videos ku shfaqet dhunimi i një të miture, duke bërë të ditur se ngjarja është nën hetim dhe se është regjistruar procedim penal për veprën “Heqja e paligjshme e lirisë”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas Prokurorisë, më 10 qershor 2026 Komisariati i Policisë Fier referoi materialet procedurale për ngjarjen e ndodhur më 8 qershor, ku një 17-vjeçare kallëzoi se ishte dërguar në një banesë në Fier dhe më pas ishte dhunuar fizikisht nga disa të mitura.

Në kuadër të hetimeve, Prokuroria kërkoi caktimin e një mase sigurimi personal për një nga të miturat në konflikt me ligjin. Me vendim të datës 1 korrik 2026, Gjykata pranoi kërkesën dhe masa e sigurimit vijon të jetë në fuqi.

Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive penale të personave të përfshirë, si edhe verifikimin e mënyrës së realizimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së videos në rrjetet sociale.

Prokuroria thekson se, për shkak se në këtë procedim janë të përfshirë të mitur, mbrojtja e privatësisë dhe identitetit të tyre është detyrim ligjor. Për këtë arsye, u bën thirrje qytetarëve, administratorëve të faqeve në rrjetet sociale dhe mediave të mos publikojnë apo ripublikojnë pamje ose të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e të miturve, në respekt të legjislacionit shqiptar dhe standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.