Detaje nga ngjarja ne Maliq ku mbeti i vr*re nje efektiv policie

Një ngjarje e rëndë është raportuar në fshatin Podenë të Bashkisë Maliq, ku gjatë një operacioni policor për arrestimin e një personi në kërkim, një efektiv i Policisë së Shtetit Enea Mekolli ka humbur jetën, ndërsa Edison Adri.një tjetër efektiv ka mbetur i plagosur.

Sipas informacioneve paraprake, forcat e Policisë së Korçës kishin marrë të dhëna se një person i shpallur në kërkim prej vitesh fshihej në zonën pyjore të Podenës. Gjatë ndërhyrjes për arrestimin e tij, i dyshuari ka hapur zjarr ndaj efektivëve, duke shkaktuar vdekjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri.

Burime paraprake identifikojnë autorin e dyshuar si Violand Braçellari, ish-ushtarak, i cili rezultonte në kërkim dhe kishte pasur probleme me drejtësinë, përfshirë edhe çështje të lidhura me lëndët narkotike. Sipas të njëjtave burime, ai jetonte prej kohësh i izoluar në pyjet e Podenës, ku kishte ngritur një stan dhe mbante disa qen.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur personi i kërkuar ka identifikuar praninë e policisë dhe ka qëlluar në drejtim të saj. Në operacion merrnin pjesë disa efektivë, ndërsa terreni i vështirë i zonës ka komplikuar ndërhyrjen.

Sipas raportimeve paraprake, i dyshuari është neutralizuar i plagosur pas shkëmbimit të zjarrit. Zona është rrethuar nga forca të shumta policore, ndërsa drejtues të Policisë së Korçës dhe grupet hetimore kanë mbërritur në vendngjarje.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe dinamikën e operacionit. Ndërkohë, efektivi i plagosur pritet të transportohet për trajtim të specializuar mjekësor në Tiranë.