Përmes një deklarate publike, Çaushi ka sqaruar se kontakti i saj me Bakajn dhe Meritën ka qenë i rastësishëm në fillim të muajit qershor, gjatë një vizite në zonë. Sipas saj, në atë takim Merita Gremaj iu prezantua si bashkëjetuesja e Bledar Bakajt, ndërsa të dy kishin pohuar se kishin vendosur të martoheshin.
Deputetja tregon se gjatë bisedës Merita kishte përmendur edhe kundërshtimin e babait të saj ndaj lidhjes, ndërsa në ambient ndodheshin familjarë, të afërm dhe fqinjë që po uronin çiftin për marrëdhënien e tyre.
Çaushi thekson se ky është i gjithë informacioni që ka pasur lidhur me raportin mes dy personave dhe se për ngjarjen e bërë publike ditët e fundit është informuar përmes mediave, njësoj si pjesa tjetër e opinionit publik.
Në reagimin e saj, deputetja dënon çdo formë dhune, pavarësisht autorit, dhe kërkon që rasti të trajtohet me seriozitet nga institucionet përgjegjëse. Ajo shprehet se ngjarja kërkon vlerësim të kujdesshëm jo vetëm nga ana ligjore, por edhe nga ajo psikologjike, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
“Për pjesën tjetër, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre”, përfundon deklarata e deputetes socialiste.










