Kostoja e lartë e banimit në Tiranë po ndryshon zgjedhjet e familjeve shqiptare. Çmimi mesatar i qirasë për një apartament në kryeqytet ka arritur në 721 euro në muaj, duke e bërë strehimin një nga shpenzimet më të rënda për familjet me të ardhura mesatare.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Monitor”, qiraja mesatare përfaqëson rreth 77% të pagës mesatare bruto, ndërsa në raport me pagën neto arrin në rreth 97%.
Situata bëhet edhe më e vështirë kur kësaj kostoje i shtohen ushqimet, faturat e energjisë, transporti, arsimi dhe shpenzimet e tjera të përditshme.
Përballë këtyre kostove, një pjesë e familjeve të reja po zgjedhin të largohen nga Tirana dhe të vendosen në qytete më të lira, duke vijuar punën në kryeqytet.
Ekspertja e tregut të pasurive të paluajtshme, Stela Dhami, nga “Colliers International Albania”, thotë se Elbasani dhe Durrësi janë ndër destinacionet ku po orientohen familjet që nuk përballojnë dot çmimet e Tiranës.
Në Elbasan, qiratë mund të jenë 30–40% më të ulëta krahasuar me kryeqytetin. Ndërsa Durrësi, për shkak të kërkesës së lartë dhe ndikimit të turizmit, ka çmime më të larta se Elbasani, por sërish mbetet një alternativë për disa familje.
Sipas ekspertes, faktori kryesor pas këtij zhvendosjeje është rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës në Tiranë. Transporti dhe trafiku mbeten problem për ata që udhëtojnë çdo ditë drejt kryeqytetit, por kursimi nga qiraja po i bën shumë familje ta konsiderojnë këtë një kompromis të arsyeshëm.
Nëse transporti publik ndërqytetas do të ishte më i shpejtë, më i shpeshtë dhe me kosto të përballueshme, numri i personave që zgjedhin të jetojnë jashtë Tiranës mund të rritej edhe më tej.










