Boshatisja e qyteteve, sociologët: Do kthehen në gërmadha

Boshatisja e qyteteve, sociologët: Do kthehen në gërmadha

276
SHPËRNDAJE

Referuar Institutit të Statistikave, INSTAT, qytetet në UNESCO, si Berati dhe Gjirokastra po shuhen për shkak të zvogëlimit të shpejtë të popullsisë.

Krahasuar me një vit më parë Gjirokastra pati në 2022 rënien më të fortë demografike me 3.5% ose gati 4000 njerëz më pak. I dyti renditet qyteti 2000-vjeçar i Beratit pasuar nga Dibra dhe Lezha.

“Boshatisja e këtyre qyteteve do bëjë të shndërrohen në gërmadha. Gjithë ato shtëpi që ka Berati p.sh. nëse nuk banohen nga njerëzit, nëse do të kenë një defekt dhe nuk ka njeri kush ta identifikojë dhe rregullojë, atëherë do të shembet gjithë godina dhe nuk do të kujtohet njeri për to. Shembu njëra e shembu tjetra, do të bjerë gjithë qyteti. Për mua njerëzit janë vlera më e madhe, janë minerali më i rëndësishëm që duhet mbajtur dhe ruajtur fort. Ky mineral favorizon gjithë vlerat e tjera. Ndryshe ne jemi të humbur”,tha sociologu Zyhdi Dervishi.

Në këto qytetet në vitet nga 1945-1990 u ndërtuan objekte industrial ku punësoheshin banorët e qyteteve, madje vinin edhe nga qytete të tjera. Në Berat u ngrit Kombinati i Tekstileve ku punonin 7000-8000 veta. Në Gjirokastër kishte punishte për artizanatin, në Krujë u ngrit ndërmarrja e madhe artistike që punonte për eksport. Këto qytete kanë nevojë urgjente për investime ku do të punësohen me paga dinjitoze popullsinë e qytetit. Ne duhet t’i joshim shqiptarët me zhvillim ekonomik që të qëndrojnë në vendin e tyre”, shtoi sociologu.

“Tajvani p.sh., megjithëse nuk ka qenë vend komunist punon me plane 6-vjeçare. Kur i kam parë ato plane në detaje, planet tona të dikurshme 5-vjeçare dukeshin si lodra kalamajsh. Ndaj duhen urgjentisht plane vizionare afatshkurtra dhe afatmesme. Në këto qytete, pasuri e botës, nëse ikin shqiptarët do të vijnë të huajt dhe si rrjedhojë do të humbasin identitetin shqiptar”, sugjeroi sociologu.

S'KA KOMENTE