Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë në pyetje drejtoreshën e Përgjithshme të Thesarit, Elmira Peto, në kuadër të hetimeve për çështjen e bllokimit të pagave.
Burime të sigurta bëjnë me dije se Peto ndodhet në ambientet e SPAK-ut, ku është thirrur nga prokurori i çështjes për të paraqitur praktikën shkresore që lidhet me procedurat e bllokimit të pagave. Sipas të njëjtave burime, ajo po merret në pyetje në cilësinë e personit deklarues.
Hetimet po zhvillohen në kuadër të procedimit penal nr. 100, ku po verifikohen rrethanat e bllokimit të pagave dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore përkatëse.
Dosja po hetohet për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “pengimit të ekzekutimit të një vendimi gjykate”. Në fokus të hetimit është edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të muajit shkurt 2026, për të cilin po shqyrtohet nëse institucionet përgjegjëse kanë respektuar detyrimet që rrjedhin nga ky vendim.
Pritet që nga hetimet e SPAK-ut të përcaktohen përgjegjësitë konkrete dhe roli i institucioneve të përfshira në procesin e bllokimit të pagave.










