Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur këtë të mërkurë, ndërsa kreu i PD-së, Sali Berisha, zhvilloi edhe një konferencë për mediat ku foli për ndryshimet organizative dhe objektivat politike të forcës që drejton.
Berisha deklaroi se Partia Demokratike, në rrafshin organizativ, do të jetë “parti e seksionit”, duke theksuar se synohet një transformim i thellë i strukturës dhe funksionimit të saj.
Sipas tij, në mbledhjen e Kryesisë do të miratohen ndryshimet statutore, listat dhe propozimet për Këshillin Kombëtar, si edhe grupi që do të drejtojë Kuvendin Kombëtar të PD-së.
“Ne finalizojmë procesin e zgjedhjeve në PD dhe sanksionojmë bazat për një transformim të vërtetë të Partisë Demokratike. Ky transformim nënkupton ripërtëritjen e forcës sonë politike, organizimin, modernizimin dhe përpunimin e vizionit të kësaj partie”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se objektivi kryesor i PD-së mbetet rikthimi i votës së lirë dhe rikthimi i demokratëve në pushtet.
Berisha theksoi gjithashtu se hapja e partisë ndaj prurjeve të reja dhe anëtarësimeve të reja do të jetë pjesë e reformimit të saj në çdo nivel organizativ.










