Berisha hap “podcastin” e tij dhe fton Ramën në debat

Berisha hap “podcastin” e tij dhe fton Ramën në debat

39
SHPËRNDAJE

Dy liderat më të mëdhenj të politikës shqiptare në këto 32 vite pluralizëm, Edi Rama dhe Sali Berisha, përveç se në emisione politike, deklarata për media, konferenca dhe fushata zgjedhore, tashmë do të keni mundësi t’i ndiqni edhe në formatin e “podcast”-it.

Pasi kryeministri Edi Rama njoftoi hapjen e një podcasti ku do të zhvillojë biseda me personazhe të njohur nga fusha të ndryshme, të njëjtën gjë ka bërë dhe ish-kryeministri Sali Berisha, ndonëse ky i fundit thotë se idenë e ka patur “në sirtar” që në dhjetor.

Madje Berisha thotë se e fton Edi Ramën të debatojë me të në “podcast”, meqënëse kryeministri deklaroi se në studion e tij do të ftojë edhe kundërshtarë politikë, nëse pranojnë.

Problemi i vetëm është se podcast i Berishës titullohet “jeta përtej politikës”, ndaj lind pyetja, se përse do të flasin, nëse jo për politikë?

Deklarata e Sali Berishë:

Të dashur miq të komunitetit të madh të rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe Tik Tok. Që prej dhjetorit, kam në ‘sirtarin’ tim dixhital të komunikimit me ju, edhe podcast-in tim të përjavshëm. Ngjarjet e kanë shtyrë këtë takim të ri me ju në një format tjetër, por duke filluar nga sot do të shihemi edhe në këtë dritare të re. 

Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podcast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj.

Kam menduar që komunikimi me ju në podcast të përqendrohet kryesisht në çështje jo politike, në Sali Berishen qe ju nuk e keni njohur dhe këtë e provon edhe ky episod i parë, i regjistruar në dhjetorin e kaluar. 

Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin.

Mendoj se politikanët duhet të ballafaqojnë pikëpamjet e tyre. Uroj të gjejë kurajo dhe të pranojë ftesën time.

S'KA KOMENTE