Berisha flet pas rizgjedhjes në krye të PD-së

Votimin më të rëndësishëm dhe më të jashtëzakonshëm e cilësoi Sali Berisha procesin zgjedhor për kreun e Partisë Demokratike, ku ai u rizgjodh si kryetar. “Sot u vendos që të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore”, tha ai.

Berisha ka falenderuar dhe shprehur mirënjohje për anëtarët e PD-së që votuan, duke e quajtur këtë një “votëbesim masiv” dhe një riafirmim të tij në krye të partisë. Ai ka shprehur mirënjohje gjithashtu edhe për ata që kanë votuar ndryshe ose janë abstenuar.

Berisha paralajmëroi edhe kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai është me “zero legjitimitet” dhe se do të trajtohet si i tillë deri në largimin nga pushteti. Ai u shpreh gjithashtu se, ashtu siç u votua sot nga anëtarësia e partisë, ashtu do të votojnë edhe shqiptarët nesër për ndryshim në vend.

“Jam këtu, para së gjithash, për të shprehur mirënjohjen time më të pakufishme dhe nderimin më të thellë për të gjithë demokratet dhe demokratët që sot votuan për riafirmimin tim në një votëbesim masiv në krye të Partisë Demokratike. Një mirënjohje e veçantë shkon edhe për ata që votuan ndryshe. I garantoj se vota e tyre, qoftë kundër apo abstenim, do të merret në konsideratë, në kuptimin se do të bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje sa më të mira atyre hezitimeve apo vërejtjeve për të cilat ata votuan kundër ose abstenuan.Dua t’u them të gjithë këtyre dhjetëra mijëra demokratëve se për mua, në të gjitha votimet nga shtatori i vitit 1991 deri sot, ky është votimi më i rëndësishëm dhe më i jashtëzakonshëm, sepse me këtë votëbesim ju vendosët të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore. Të ecim të pamposhtur në përmbushjen e misionit të madh.Imagjinoni, rreth 40 mijë gra dhe burra, djem dhe vajza politikë që ngrihen fuqishëm pas betejash të forta për të vazhduar luftën tonë deri në fitore të plotë. Ky është një besim i madh i të gjithë juve që morët pjesë sot në votim, në forcën, vizionin dhe vendosmërinë e Partisë Demokratike për të përmbysur “diktaturën e dytë” në Shqipëri.Me votën tuaj ju keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj. Keni lënë pa gjumë kartelet e drogës dhe lidhjet e tyre me qeverinë. Ky proces zgjedhor, që mbyllet sot, ka nxjerrë Partinë Demokratike më të fortë se kurrë në ekzistencën e saj”, tha Berisha.