AZHBR zbardh Skemën Kombëtare 2026 për blegtorinë, ja sa përfitojnë fermerët për delet dhe dhitë

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka publikuar detajet e Skemës Kombëtare 2026 për mbështetjen e blegtorisë, me fokus tufën bazë të matrikulluar të të imtave, dele dhe dhi.

Sipas njoftimit zyrtar, këtë vit mbështetja financiare do të nisë për fermat që disponojnë të paktën 50 krerë të matrikulluar.

Vlera e financimit për fermerët parashikohet si më poshtë:

• 1,500 lekë për krerë për fermat me 50 deri në 300 krerë
• 50% financim mbi tavanin për fermat që tejkalojnë 300 krerë
• 100% mbështetje për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor

AZHBR bën me dije se aplikuesit mund të konsultojnë udhëzimin e plotë të publikuar në faqen zyrtare, ku janë të detajuara kriteret dhe procedurat e përfitimit.

Fermerët mund të marrin asistencë pranë Agropikave dhe Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, ndërsa për informacion shtesë është vënë në dispozicion edhe numri i kontaktit 0800 83 83.

Sipas AZHBR-së, skema synon të rrisë mbështetjen për fermat blegtorale dhe të forcojë prodhimin vendas përmes formalizimit dhe zgjerimit të tufave të matrikulluara.