Autobusi me turistë merr flakë në Qafën e Kalasë në Berat

Autobusi me 52 turistë merr flakë në Berat, shpëtojnë pasagjerët, digjet edhe një makinë

Një autobus i mbushur me turistë të huaj ka marrë flakë sot në Qafën e Kalasë, në Berat, teksa po ngjitej drejt Kalasë së Beratit.

Autobusi me targa AB 917 UE ka nisur fillimisht të nxjerrë shkëndija në pjesën e motorit. Drejtuesi i mjetit, sapo ka konstatuar problemin, ka ndaluar dhe ka bërë të mundur zbritjen në kohë të 52 pasagjerëve, mes tyre edhe fëmijë. Fatmirësisht, asnjë prej tyre nuk ka mbetur i lënduar.

Pas shkëndijave të para, flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë autobusin, duke e shkrumbuar plotësisht. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe policia, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit.

Flakët kanë dëmtuar rëndë edhe një Benz Fuoristradë, e cila ishte e parkuar pranë një banese. Pronari nuk ka mundur ta largojë automjetin në kohë.

Paraprakisht dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në motor, ndërsa grupi hetimor po vijon veprimet për përcaktimin e plotë të shkaqeve.

Drejtuesi i autobusit, Ervis Dyrmani, me origjinë nga Durrësi, është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje. Ndërkohë, autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur kombësinë e turistëve që ndodheshin në autobus.