ARRSH hap tender për aksin Vlorë–Levan dhe Mallakastër–Tepelenë, pjesë e investimit 666 milionë lekë për sigurinë rrugore

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur katër procedura tenderuese me një fond limit prej rreth 666.4 milionë lekësh për përmirësimin e sinjalistikës dhe elementëve të sigurisë rrugore në akset kombëtare të rajoneve Verior, Qendër-Perëndim, Jugor dhe Qendër-Lindje.

Projektet parashikojnë rifreskimin e sinjalistikës horizontale, zëvendësimin e tabelave rrugore të amortizuara, vendosjen dhe riparimin e barrierave mbrojtëse, përmirësimin e ndriçimit në kryqëzimet problematike, si dhe ndërhyrje në fugat e urave në segmente të ndryshme të rrjetit kombëtar. Sipas ARRSH, investimi synon rritjen e sigurisë në qarkullim dhe uljen e numrit të aksidenteve.

Në Rajonin Verior, me një fond prej rreth 187.4 milionë lekësh, ndërhyrjet do të fokusohen edhe në Bypass-in e Shkodrës, ku do të rinovohet sinjalistika, do të zëvendësohen tabelat e dëmtuara, do të riparohen barrierat metalike dhe do të kontrollohet sistemi i ndriçimit.

Rajoni Qendër-Perëndim përfiton fondin më të lartë, rreth 191.6 milionë lekë, me punime në segmentet Plepa–Ish Euro Drini–Bishti i Zhurit, Bishti i Zhurit–Elbasan, Tiranë–Elbasan dhe Çermë–Divjakë.

Për Rajonin Jugor është planifikuar një fond prej 187.4 milionë lekësh, ku ndërhyrjet do të realizohen në autostradën Mbrostar–Levan dhe aksin Mallakastër–Tepelenë–Dogana Kakavijë, me fokus përmirësimin e sinjalistikës, ndriçimin e kryqëzimeve me rrezikshmëri të lartë dhe riparimin e fugave të urave në segmentin Vlorë–Levan.

Ndërkohë, në Rajonin Qendër-Lindje, me një fond prej rreth 100 milionë lekësh, punimet do të shtrihen në segmentet Urakë–Golik i Poshtëm, Unaza Librazhd–Zgosht, Drizë–Kanioni i Holtës, Podgorie–Liqenas, Libonik–Maliq, si dhe në kryqëzimin Gështenjas në aksin Pogradec–Korçë.