Arrestohet Eno Agasi, dyshohet për kontrabandë dhe zhdukjen e verës nga kantina e Ergys Agasit

Eno Agasi është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Shtetit, pasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës në kuadër të hetimeve për një sasi të konsiderueshme vere që dyshohet se është larguar nga kantina e verës së Ergys Agasit.

Sipas informacioneve paraprake, Eno Agasi, kushëriri i Ergys Agasit, dyshohet se ka hequr verë me vlerë prej miliona eurosh nga kantina. Burimet bëjnë me dije se pas kryerjes së inventarit, vera ishte lënë në magazinë pasi nuk mund të transportohej gjatë natës për shkak të procedurave doganore. Megjithatë, kur përgjegjësit janë rikthyer të nesërmen për ta tërhequr, sasia e verës nuk ndodhej më aty.

Hetimet kanë ngritur dyshime se Eno Agasi ka qenë i përfshirë në largimin e mallrave, ndërsa raportohet se janë fshirë edhe pamjet e kamerave të sigurisë, veprim që konsiderohet si pengim i zbardhjes së ngjarjes.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për kontrabandë të mallrave që paguajnë akcizë, magazinim të mallrave që paguajnë akcizë, si dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Sipas raportimeve, hetimet po ndiqen nga prokurori Bledar Valikaj, i cili më herët kishte referuar për kompetencë në SPAK çështjen që lidhet me Ergys Agasin, ndërsa ka vijuar hetimet për kushëririn e tij në Prokurorinë e Tiranës.