Arrestohen dy ish-drejtorë të ASHK Fier, një jurist dhe përfituesi i pronës, sekuestrohen 1,143 hektarë tokë dhe 150 mijë euro

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për katër persona, mes tyre dy ish-drejtorë të ASHK Fier, një specialist jurist dhe një përfitues pronash, të dyshuar për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Në pranga kanë rënë shtetasit E.Sh. dhe B.K., në cilësinë e ish-drejtorëve të ASHK Fier, P.Ç., specialist jurist pranë këtij institucioni, si dhe K.H., i dyshuar si përfitues i pronave.

Sipas Prokurorisë, gjatë hetimeve të procedimit penal nr. 1026 të vitit 2025, është provuar se K.H. ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier për të regjistruar në bashkëpronësi një sipërfaqe prej 1,143 hektarësh tokë në zonat kadastrale Seman i Ri dhe Sheq Marinas, si dhe 150 mijë euro.

Hetimet tregojnë se më pas ai ka shitur tokat në fjalë tek dy shoqëri të ndryshme, duke përdorur edhe një prokurë të posaçme të falsifikuar.

Prokuroria akuzon ish-drejtuesit dhe juristin e ASHK Fier se kanë kryer regjistrimin e këtyre pasurive në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, pa kryer verifikimet e detyrueshme pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronës, nga ku do të rezultonte se dokumentet e paraqitura ishin të falsifikuara.

Sipas dosjes hetimore, njëri prej ish-drejtorëve të ASHK-së ka regjistruar edhe sipërfaqe më të madhe nga ajo që parashikohej në vendimin e pretenduar të kthimit të pronës, duke i krijuar K.H.-së mundësinë të përfitonte toka shtesë.

Po ashtu, është konstatuar se gjatë procedurave të regjistrimit është ndryshuar zëri kadastral i sipërfaqeve nga “tokë arë” në “tokë pa frut”, pa miratimet përkatëse nga institucionet kompetente.

Në kuadër të hetimit janë sekuestruar mbi 76 pasuri me sipërfaqe totale 1,143 hektarë tokë, si dhe 150 mijë euro.