Gentian Çipi, 41 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Dishnicë, është shqiptari që u arratis në mënyrë spektakolare mbrëmjen e së premtes nga Spitali i Serres në Greqi, gjatë transportimit nën masa të forta sigurie nga burgu i Nigritës.
Emri i tij rezulton i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke, pasi ka qenë i përfshirë në disa çështje penale ndër vite. Në korrik të vitit 2024, ai u dënua në Shqipëri me dy vite burg për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese. Çështja lidhej me djegien e një automjeti më 24 prill 2023 në lagjen nr. 13 të Korçës. Fillimisht ndaj tij ishte vendosur masa “Arrest në burg”, por më pas gjykata e zbuti në “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Garanci pasurore”.
Më herët, në janar 2023, ai u procedua nga policia në kuadër të operacionit “Fijet”, pasi pranë banesës së tij u konstatuan kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme.
Ngjarja më e rëndë ku përfshihet emri i Gentian Çipit është ajo e 3 shtatorit 2024 në Pylaia të Selanikut, ku ai dyshohet se hapi zjarr ndaj një 25-vjeçari grek jashtë një kantine. I riu u plagos me tre plumba, por arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa autori u largua nga vendngjarja.
Pas një viti kërkimesh, autoritetet greke organizuan një operacion për kapjen e tij në shtator 2025. Gjatë aksionit u arrestuan edhe Enea Basholli, 31 vjeç, dhe Kleo Topa, 24 vjeç, të dy nga Korça. Sipas policisë greke, Çipi konsiderohej drejtues i një grupi kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike dhe akte të dhunshme.
Sipas dosjes së autoriteteve greke, gjatë tentativës për arrestim në Selanik, Çipi dhe Topa nuk iu bindën urdhrave të policisë, përplasën një automjet policie dhe tentuan të largoheshin, por u kapën pas ndjekjes.
Në kontrollet e zhvilluara pas arrestimit, policia greke sekuestroi një kallashnikov me 30 fishekë, tre pistoleta, një silenciator, rreth 31 kilogramë marijuanë, dokumente false identifikimi dhe drejtimi, 23.350 euro para cash, telefona celularë dhe tre automjete.
Tashmë, pas arratisjes së bujshme nga Spitali i Serres me ndihmën e personave të armatosur, autoritetet greke kanë nisur një operacion të gjerë për rikapjen e 41-vjeçarit shqiptar dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tij.










