Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka mbërritur në Tiranë, duke shënuar nisjen e mandatit të tij diplomatik në vend.
Nesër, në orën 11:00, Wendt pritet të zhvillojë takimin e parë zyrtar me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, ku do të dorëzojë letrat kredenciale në një takim kokë më kokë.
Eric Wendt është gjeneral-lejtnant amerikan në pension me një karrierë mbi 34-vjeçare në Forcat e Armatosura të SHBA-së. Ai ka një eksperiencë të gjatë në operacionet speciale dhe sigurinë, ndërsa gjatë karrierës së tij ka komanduar forcat e operacioneve speciale të NATO-s dhe ka bashkëpunuar ngushtë me trupa shqiptare, përfshirë edhe gjatë misioneve në Afganistan.
Pas përfundimit të karrierës ushtarake, Wendt ka vijuar angazhimin në fushën akademike dhe të sigurisë, duke ligjëruar mbi komandimin dhe lidershipin në Naval Postgraduate School.
Gjatë seancës së konfirmimit në Senatin amerikan në muajin maj, ai paraqiti prioritetet kryesore të mandatit të tij në Shqipëri. Në qendër të vëmendjes ai vendosi luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike, si dhe mbështetjen për një klimë të drejtë dhe transparente për investitorët amerikanë.
Wendt veçoi gjithashtu sektorë me interes strategjik si energjia, infrastruktura, minierat dhe inteligjenca artificiale.
Me mbërritjen në Tiranë dhe dorëzimin e pritshëm të kredencialeve, Eric Wendt nis zyrtarisht detyrën si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.










