Shoqëria shtetërore Albpetrol ka shpallur zyrtarisht garën për përzgjedhjen e kompanisë që do të zhvillojë dhe prodhojë hidrokarbure në vendburimin Gorisht-Kocul, një nga fushat tradicionale të prodhimit të naftës në Shqipëri.
Sipas njoftimit, kompanitë e interesuara mund të paraqesin ofertat deri më 2 nëntor 2026, ndërsa dokumentacioni duhet të dorëzohet fizikisht pranë selisë së Albpetrolit në Patos. Një nga kushtet e procedurës është blerja paraprake e paketës së të dhënave teknike të vendburimit.
Procesi është hapur pas autorizimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe synon tërheqjen e investimeve të reja për rritjen e prodhimit në këtë vendburim.
Sipas Albpetrolit, Gorisht-Kocul ka 284 puse, nga të cilët 142 janë aktivë në prodhimin e naftës dhe gazit. Gjatë vitit 2025 u prodhuan 29,243 ton naftë, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të 2026 prodhimi ka arritur në 9,634 ton.










