Ballkani pritet të përballet me një episod të fuqishëm të motit ekstrem gjatë ditëve në vijim. Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive ka lëshuar nivelin më të lartë të alarmit, Nivelin 3, për disa zona të rajonit, duke paralajmëruar zhvillimin e stuhive të rrezikshme nga e marta deri në orët e para të së mërkurës.
Sipas parashikimeve, zonat më të rrezikuara janë jugu i Kroacisë, jugu i Bosnjë-Hercegovinës, Mali i Zi dhe Kosova, ku priten reshje intensive, erëra të forta dhe fenomene të tjera të motit të ashpër.
Shqipëria është përfshirë në Nivelin 1 të rrezikut, çka nënkupton mundësi për zhvillime të izoluara stuhish, me intensitet më të kufizuar krahasuar me zonat nën alarm më të lartë.
Autoritetet meteorologjike rekomandojnë ndjekjen e përditësimeve të motit, pasi situata mund të ndryshojë në varësi të zhvillimit të sistemeve atmosferike.










