Mbi 42 mijë qytetarë u bënë pjesë e skemës së pensioneve të pleqërisë gjatë vitit 2025, por vlera mesatare e pensioneve të reja rezulton më e ulët se një vit më parë.
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), gjatë vitit të kaluar u lidhën 42,818 pensione të reja, prej të cilave 22,781 përfitues janë meshkuj dhe 20,037 janë femra.
Statistikat tregojnë se pensioni mesatar mujor për pensionistët e rinj arriti në 16,486 lekë, nga 17,013 lekë që ishte në vitin 2024, duke shënuar një ulje prej 526 lekësh.
Për meshkujt, pensioni mesatar u rrit lehtë në 18,335 lekë, krahasuar me 18,021 lekë një vit më parë. Ndërkohë, për gratë ai ra ndjeshëm në 14,383 lekë, nga 15,438 lekë në vitin 2024, duke ruajtur diferencën e konsiderueshme mes dy gjinive. ISSH e lidh këtë hendek me pagat më të ulëta dhe kontributet më të vogla të derdhura nga gratë gjatë viteve të punës.
Nga ana tjetër, gjatë vitit 2025 u mbyllën 13,718 pensione për shkak të ndarjes nga jeta të përfituesve, çka e çon shtesën neto të pensionistëve në rreth 29,100 persona.
Sipas të dhënave zyrtare, një pensionist në Shqipëri e përfiton pensionin mesatarisht për 23 vite, një tregues që është rritur në raport me vitet e fundit dhe pasqyron plakjen e popullsisë.
Censi 2023 konfirmon se personat mbi 60 vjeç përbëjnë tashmë rreth 25% të popullsisë së vendit. Për t’iu përgjigjur këtij realiteti demografik, qeveria ka miratuar Planin Kombëtar të Moshimit 2025–2030, i cili parashikon masa si pensioni i 13-të, rritjen me 50% të pensionit mesatar dhe ndryshimin e formulës së indeksimit për të favorizuar pensionistët me të ardhura më të ulëta.










