Aksident në autostradën Fier-Lushnje,2 të pl*gosur

Një aksident rrugor është regjistruar këtë të mërkurë në autostradën Fier–Lushnjë, në zonën e rrethrrotullimit të Kolonjës, në kahun e lëvizjes drejt Lushnjës.

Sipas informacioneve paraprake, një mjet tip fuoristradë është përplasur me forcë nga pas me një kamionçinë. Për pasojë, dy personat që udhëtonin në fuoristradë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Lushnjës.

Burime spitalore bëjnë me dije se të lënduarit ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet procedurale për dokumentimin e aksidentit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë e fuoristradës, e cila në hyrje të rrethrrotullimit ka goditur nga pas kamionçinën.