Aksident në aksin Fier–Libofshë, 4 të pl*gosur

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Fier–Libofshë, pranë fshatit Petovë, ku janë përplasur dy automjete, një Range Rover dhe një Mercedes.

Përplasja ka qenë e fortë, duke lënë të plagosur katër persona. Të lënduarit janë transportuar me tre autoambulanca drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas burimeve jozyrtare, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Si pasojë e aksidentit, qarkullimi në këtë segment rrugor është vështirësuar ndjeshëm, ndërsa është krijuar një varg i gjatë automjetesh në pritje.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident.