AKMC: Monitorim satelitor dhe ajror 24 orë për zbulimin e vatrave të zjarrit, paralajmërohen masa ndaj zjarrvënësve

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka njoftuar se monitorimi satelitor dhe ajror i territorit të vendit vijon 24 orë në 24, me synim identifikimin në kohë reale të çdo vatre zjarri.

Sipas AKMC-së, teknologjia mundëson përcjelljen e menjëhershme të të dhënave dhe koordinatave të sakta te ekipet e emergjencës dhe shërbimi zjarrfikës, duke garantuar ndërhyrje sa më të shpejtë.

Autoriteti thekson se çdo vatër zjarri, pavarësisht përmasës apo nëse ndizet në prona private ose oborre, verifikohet menjëherë në terren. Ndaj personave përgjegjës do të merren masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Për identifikimin e zjarrvënësve, AKMC dhe shërbimet zjarrfikëse të bashkive bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Shtetit.

Për shkak të temperaturave të larta dhe erës, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos ndezin asnjë lloj zjarri, pasi edhe një shkëndijë e vogël mund të shndërrohet brenda pak minutash në një vatër masive me pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve.

AKMC apelon për përgjegjësi dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, duke theksuar se mbrojtja e komunitetit dhe e pasurive natyrore është një përgjegjësi e përbashkët.