Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në zbatimin e reformave të parashikuara në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke bërë të ditur se vendi ka përmbushur 80% të tyre.
Gjatë fjalës së saj, Kos deklaroi se vendet e rajonit po hyjnë në vitin e fundit të periudhës katërvjeçare të zbatimit të këtij plani, ndërsa veçoi Malin e Zi dhe Shqipërinë për rezultatet e arritura.
Sipas saj, Mali i Zi ka zbatuar 84% të reformave, ndërsa Shqipëria 80%. Si rezultat i këtij progresi, vendi ynë do të përfitojë 185.6 milionë euro në kuadër të pagesës së katërt.
“Tre shtete kanë bërë përparim të mirë për reformat. Këto rezultate të ndryshme janë pasqyruar edhe në njoftimet që ka bërë presidentja Von der Leyen. Mali i Zi ka vënë në zbatim 84% të reformave, ndërsa Shqipëria ka vënë në zbatim 80% të reformave dhe do të marrë 185.6 milionë euro në pagesën e katërt”, u shpreh Kos.
Komisionerja theksoi se Plani i Rritjes funksionon mbi bazën e meritës dhe rezultateve konkrete, ku përmbushja e objektivave të reformave mundëson zhbllokimin e fondeve për ekonomitë dhe qytetarët e vendeve të rajonit.
Ndërkohë, ajo u ndal edhe te situata në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, duke kërkuar përshpejtimin e procesit të integrimit europian dhe përmbushjen e detyrimeve të nevojshme.
Për Kosovën, Kos u shpreh se krijimi i qeverisë përbën një mundësi për të rifokusuar përpjekjet drejt Bashkimit Europian, ndërsa për Bosnjë-Hercegovinën nënvizoi nevojën për ratifikimin e marrëveshjeve përkatëse.










