SHBA miraton shitjen e sistemeve raketore HIMARS për Shqipërinë, paketa kap vlerën e 210 milionë dollarëve

Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të sistemeve raketore HIMARS për Shqipërinë, në një paketë ushtarake me vlerë rreth 210 milionë dollarë. Marrëveshja synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe rritjen e aftësisë për t’iu përgjigjur kërcënimeve të mundshme, në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Sipas të dhënave të publikuara nga Defense Mirror, paketa parashikon blerjen e dy sistemeve M142 HIMARS, të shoqëruara me municione të drejtuara me precizion të lartë dhe pajisje të tjera mbështetëse.

Konkretisht, në paketë përfshihen gjashtë kontejnerë me raketa M31A2 GMLRS Unitary dhe gjashtë kontejnerë me raketa M30A2 GMLRS Alternative Warhead. Gjithashtu, parashikohet furnizimi me tetë sisteme taktike për drejtimin e artilerisë dhe dy automjete ushtarake Humvee.

Paketa përfshin edhe sisteme komunikimi, radio taktike, mjete navigimi, pajisje logjistike, pjesë këmbimi dhe mjete për mirëmbajtjen e sistemeve. Krahas pajisjeve ushtarake, parashikohet edhe trajnimi i personelit shqiptar, asistenca teknike dhe mbështetja logjistike.

Financimi i blerjes, me vlerë të parashikuar prej 210 milionë dollarësh, do të realizohet përmes programit amerikan të Financimit Ushtarak të Jashtëm (Foreign Military Financing).

Kontraktori kryesor për realizimin e shitjes do të jetë kompania amerikane Lockheed Martin, prodhuesi i sistemeve raketore HIMARS.