Balluku publikon foto nga Asambleja e PS-së: Diversiteti i mendimeve është pjesë e familjes sonë, por na bashkon uniteti

Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka publikuar foto nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e zhvilluar sot në Gjirin e Lalzit, duke i shoqëruar me një mesazh për unitetin dhe organizimin e forcës politike.

Në reagimin e saj, Balluku e cilëson Partinë Socialiste një familje të madhe, të ndërtuar mbi vlera, bindje dhe një vizion të qartë politik. Ajo thekson se diversiteti i mendimeve është pjesë e natyrshme e kësaj familjeje, por sipas saj, besimi, përgjegjësia dhe angazhimi për të ecur përpara së bashku janë ato që i bashkojnë socialistët.

Balluku vë theksin te uniteti, disiplina dhe organizimi i strukturave të partisë, ndërsa në mesazhin e saj për zgjedhjet e 9 majit 2027 shpreh besimin për një tjetër fitore nën drejtimin e Edi Ramës.

Mesazhi i plotë i Belinda Ballukut:

“Partia Socialiste është një familje e madhe, e ndërtuar mbi vlera, bindje dhe një vizion të qartë politik.

Diversiteti i mendimeve është pjesë e natyrshme e familjes tonë, por ajo që na bashkon është më e rëndësishme: besimi, përgjegjësia dhe angazhimi për të ecur përpara së bashku.

Suksesi ynë qëndron te uniteti, disiplina dhe mbi të gjitha, organizimi kapilar i strukturave tona.

Më 9 Maj, në Ditën e Europës, me përkushtim, energji dhe përgjegjësi të përbashkët, do të fitojmë një tjetër betejë, nën vizionin e Edi Ramës, sepse forca e një familjeje politike qëndron edhe te aftësia e saj transformuese.”