Zbardhen detaje nga vendimi i Gjykatës së Fierit për masat e sigurisë ndaj pesë personave nën hetim për tjetërsimin e 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore.
Në vendimin e shpallur më 11 nëntor 2026, gjykata kishte caktuar masën “Arrest në burg” për Dilaver Shytin, drejtorin e Spitalit Rajonal Fier, Arben Vojën, Fjorelo Bidon dhe noteren Anila Haxhiu.
Sipas vendimit, Dilaver Shyti dyshohet për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndërsa Arben Voja dyshohet për “Falsifikimin e dokumenteve”, të kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, dhe “Shpërdorimin e detyrës”, në bashkëpunim.
Për Fjorelo Bidon, dyshimet lidhen me veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim.
Noterja Anila Haxhiu dyshohet për “Falsifikimin e dokumenteve”, të kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, në bashkëpunim.
Ndërkohë, për personin me inicialet A.J., gjykata kishte caktuar dy masa sigurie: “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Gjykata urdhëroi gjithashtu sekuestrimin dhe bllokimin e pasaportës, si dhe paraqitjen e saj të hënën e parë të çdo muaji, në orën 10:00, pranë Komisariatit të Policisë Fier.
Ndryshimi i masës për Fjorelo Bidon
Pas shqyrtimit të masave në seancën maratonë që zgjati rreth 7 orë, gjykata vendosi të lërë në fuqi masën “Arrest në burg” për Arben Vojën, Dilaver Shytin dhe Anila Haxhiun.
Ndërsa për Fjorelo Bidon, masa “Arrest në burg” u zëvendësua me ndalimin për të dalë jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore dhe pezullimin e ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik.
Për personin A.J. u la në fuqi vijimi i masave të sigurisë të përcaktuara më herët.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Të gjithë personat e përfshirë konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.










