Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka sqaruar se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk do të jenë më pjesë e forumeve drejtuese të partisë, por do të vijojnë të mbeten anëtarë të PS-së.
Përmes një postimi në Facebook, Klosi ka reaguar pas raportimeve për përjashtimin e dy figurave socialiste, duke theksuar se në përfundim të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare nuk u votua për largimin e tyre nga partia.
Ai konfirmoi se Spiropali dhe Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të PS-së, ndërsa shpjegoi se mungesa e votimit lidhej me qëndrimin e tre anëtarëve të Asamblesë, të cilët ishin kundër përjashtimit nga partia.
“Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit tim pas Asamblesë ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por, në një parti si PS-ja, ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia”, shkruan Klosi.
Ai shton se vendimi për të mos i përfshirë më në forumet e partisë është i qartë dhe se PS-ja do të vijojë aktivitetin e saj pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare.










