Avokati Ermal Hamataj: PD në Fier duhet të rikrijojë veten, me të rinj dhe drejtues të rinj

Avokati dhe një prej eksponentëve të Partisë Demokratike në Fier, Ermal Hamataj, ka reaguar pas zgjedhjes së Enkelejda Veliut në krye të degës lokale të PD-së, duke vënë në dukje gjendjen organizative të partisë dhe vështirësitë për të qenë konkurruese në zgjedhjet vendore.

Në një reagim të tij, Hamataj shpreh shqetësimin për numrin e anëtarëve të PD-së në Fier. Sipas tij, nga rreth 3,800 anëtarë me të drejtë vote, në procesin e zgjedhjes së kryetarit morën pjesë vetëm rreth 850 persona. Ai kujton se vite më parë dega kishte 8-9 mijë anëtarë.

Duke iu referuar edhe rezultateve të zgjedhjeve vendore, Hamataj bën një krahasim mes potencialit aktual elektoral të demokratëve dhe rezultatit të arritur nga kryebashkiaku Armando Subashi, i cili sipas tij është zgjedhur me rreth 35 mijë vota. Sipas llogaritjeve të tij, edhe nëse anëtarët e PD-së dhe familjarët e tyre do të votonin për kandidatin demokrat, rezultati do të mbetej larg atij të Partisë Socialiste.

Hamataj thekson se qëllimi i këtij reagimi nuk është të përcjellë pesimizëm, por të nxisë një reflektim për të ardhmen e degës. Sipas tij, PD në Fier ka si detyrë kryesore të rindërtojë strukturat e saj, të organizojë grupseksionet dhe seksionet, të cilat pretendon se në rreth 70% të tyre nuk funksionojnë.

Ai kërkon gjithashtu afrimin e të rinjve, përfshirjen e moshave 20-25 vjeç në strukturat partiake dhe rinovimin e drejtuesve me përfaqësues të moshës 30-35 vjeç. Një tjetër problem që evidenton është mungesa e aktivitetit të Forumit Rinor, duke theksuar rëndësinë e afrimit të brezit të ri në jetën politike.

Në fund, Hamataj shpreh urimin që kryetarja e re, Enkelejda Veliu, të sjellë një mënyrë të re organizimi dhe drejtimi, duke iu përshtatur zhvillimeve teknologjike dhe realitetit të kohës.

Sipas tij, vetëm përmes një riorganizimi të thellë, përfshirjes së brezit të ri dhe ndryshimit të mënyrës së funksionimit, PD në Fier mund të bëhet një forcë politike konkurruese dhe të kontribuojë në forcimin e Partisë Demokratike në nivel kombëtar.


Postimi i plote i Avokatit Ermal Hamataj

Dje Partia Demokratike Dega Fier ka organizuar dhe zgjedhur Kryetarin e Degës, znj.Enkelejda Veliu.Në fakt, isha edhe unë për të votuar (kjo ishte temë tjetër, po s’do merrem me këtë). Bashkia Fier, duke përfshirë qytetin dhe 9 njësitë administrative (ish-komunat), ka rreth 100 mijë banorë.

Nga sa pashë, PD Dega Fier kishte në listë vetëm 3,800 anëtarë me të drejtë vote, nga të cilët morën pjesë rreth 850! Unë kam disa vite i shkëputur, por mesa mbaj mend dikur ka pasur 8-9 mijë anëtarë.

Për fat të keq, numrat janë lajmëtarë të çdo gare dhe, nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, nëse zgjedhjet për Kryetar Bashkie bëhen nesër dhe gjithë anëtarët e PD me gjithë familjet e tyre, votojnë, PD arrin 10 mijë vota; po shtoj ndonjë miqësi, farefis apo krushqi, kandidati i PD Dega Fier për Kryetar Bashkie nuk merr më shumë se 14 mijë vota.
Ndërkohë, z.Armando Subashi, herën e fundit, është zgjedhur Kryetar Bashkie nga PS me rreth 35 mijë vota. Pra, sikur çdo muaj të bëhen zgjedhje në Fier, hiq të pakënaqurit e PS, të ikurit, të vdekurit etj., PD në Fier s’e fiton kurrë Bashkinë.

Pse e bëra këtë llogari, jo për disfatizëm, jo për ndonjë inat, por për dashamirësi dhe sugjerim.PD Dega Fier ka vetëm një detyrë, TË RIKRIJOJË veten e saj, të ekzistojë. Të organizojë veten, grupseksionet dhe seksionet, të cilat sot nuk ekzistojnë në 70% të tyre; të rivitalizojë degën me njerëz të rinj, energjikë, 20-25 vjeçarë; të rinovojë drejtuesit e Degës, sërish me njerëz të rinj, 30-35 vjeçarë; të afrojë madje edhe adoleshentët, sepse Forumi Rinor nuk ekziston dhe adoleshentët e sotëm, në zgjedhjet e ardhshme, janë “vota”.

Kryetarja e re, znj. Enkelejda Veliu, e njeh shumë mirë degën dhe problemet e saj, por unë uroj që të jetë e aftë të mos bëhet pjesë e tyre, madje as t’i zgjidhë, por të krijojë një rrugë të re që t’i përshtatet vitit 2026, teknologjisë, ritmit dhe pragmatizmit të kohës.
Vetëm kështu PD Fier mund të jetë e denjë, konkurruese dhe ti vijë në ndihmë Partisë Demokratike të Shqipërisë.