SPAK zgjeron hetimet ndaj Vlora Hysenit, dyshime për korrupsion dhe pastrim parash
Transfertat financiare mes shoqërisë “Foris Beton” dhe një kompanie në Gjermani kanë ngritur dyshime në Prokurorinë e Posaçme për përfshirjen e ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, në korrupsion dhe pastrim parash.
Hetuesit po shqyrtojnë lëvizjet e parave dhe mënyrën se si ishte parashikuar të realizoheshin transfertat mes dy kompanive.
Ndërkohë, hetimet ndaj Hysenit janë zgjeruar edhe në një tjetër drejtim. Më 15 tetor, SPAK ka regjistruar një procedim penal të ri ndaj saj për veprën penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar”.
Në këtë procedim është përfshirë edhe një episod me gazetaren Klodiana Lala. Sipas të dhënave, kur Hyseni po hynte në ambientet e GJKKO-së për t’u njohur me masën e sigurisë, iu drejtua gazetares me fjalët: “Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner”.
Sipas SPAK, ky episod ka rëndësi për vlerësimin e sjelljes së ish-drejtoreshës së SHISH-it, pasi dyshohet se ajo mund të përdorë informacionet e siguruara për shkak të detyrës për të frikësuar persona të tjerë që ushtrojnë funksionet e tyre në kuadër të zbardhjes së çështjes penale ndaj saj.
Procedimi i ri është regjistruar edhe pas kallëzimit të gazetares Klodiana Lala. Për këtë arsye, është vendosur bashkimi i procedimeve penale ndaj Hysenit.
Në total, ish-drejtoresha e SHISH-it po hetohet për pesë vepra penale: “Përkrahja e autorit të krimit”, “Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete”, “Korrupsioni”, “Pastrimi i parave” dhe “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar”.










