SPAK heton transfertën 450 mijë euro drejt kompanisë së vëllait të Vlora Hysenit, dyshime për korruptimin e ish-kreut të SHISH-it

Lidhja mes biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, dyshohet nga Prokuroria e Posaçme se nuk lidhet vetëm me shkëmbimin e informacioneve, por edhe me përfitime të mundshme financiare.

Në kuadër të hetimeve për këtë çështje, SPAK ka dërguar letërporosi në Kosovë dhe Gjermani, me qëllim verifikimin e disa transaksioneve dhe marrëdhënieve financiare.

Në fokus të hetimit është edhe vëllai i Vlora Hysenit, Izet Dingler, i cili dyshohet se përdor një identitet tjetër, atë të Abdulrahman Mohamed El-Sayed.

Sipas burimeve nga SPAK, hetuesit kanë zbuluar një transfertë prej 450 mijë eurosh nga shoqëria “Fortis Beton” sh.p.k. drejt kompanisë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH”. Transferta, e kryer më 26 shkurt 2024 me përshkrimin “pagesë për kontratë huaje”, është anuluar një ditë më pas, më 27 shkurt.

Nga hetimet rezulton se përfaqësues i kompanisë gjermane është Izet Dingler, vëllai i ish-drejtoreshës së SHISH-it.

Për këtë transfertë dhe marrëdhëniet mes “Fortis Beton” dhe kompanive gjermane janë marrë në pyetje edhe Ardit Sota dhe Genci Shima. Të dy kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për punimet dhe se nuk i njohin përfaqësuesit e shoqërive gjermane.

Në dosjen hetimore, SPAK ngre dyshime se Ergys Agasi mund të ketë përdorur fondet e AKSHI-t për të korruptuar Vlora Hysenin, në këmbim të informacioneve sekrete nga institucioni që ajo drejtonte.

Prokuroria thekson se anulimi i transfertës prej 450 mijë eurosh nuk përjashton mundësinë e premtimit apo pranimit të një përfitimi të parregullt nga ish-drejtoresha e SHISH-it.

Sipas SPAK-ut, kjo skemë dyshohet se është përdorur edhe për të fshehur origjinën dhe natyrën kriminale të produkteve të korrupsionit, si dhe përfitimet e paligjshme të siguruara përmes procedurave të prokurimit publik të AKSHI-t.