Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka nisur kontrollet në terren ndaj lavazheve që furnizohen në mënyrë të paligjshme nga rrjeti publik i ujit. Aksioni vjen pas përfundimit të afatit të vetërregullimit më 31 tetor dhe do të shtrihet në të gjithë vendin.
Nga evidentimi i AKUK-së janë identifikuar 1.206 lavazhe aktive, nga të cilat 460 e kanë larjen e automjeteve aktivitet kryesor, ndërsa 746 e ofrojnë si shërbim dytësor.
Sipas institucionit, lidhjet e paligjshme ndikojnë në furnizimin e banorëve, duke ulur sasinë dhe presionin e ujit në rrjet, si dhe krijojnë rrezik për ndotjen e sistemit dhe cilësinë e ujit të pijshëm.
Kontrollet do të kryhen nga të gjitha shoqëritë rajonale të ujësjellës-kanalizimeve. AKUK u ka bërë thirrje bizneseve të shmangin lidhjet e paligjshme, duke paralajmëruar se ndaj subjekteve që nuk respektojnë ligjin do të merren masat përkatëse.










